Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, F.G. dhe N.G., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kultivuar bimë kanabisi, ndërsa njëri prej tyre akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të municionit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”. Ndërkaq, ndaj N.G. është ngritur aktakuzë shtesë edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 9 tetor 2025, gjatë një kontrolli të realizuar nga organet e rendit në Prizren, në pronën e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar bimë kanabisi, të cilat sipas ekspertizës forenzike kanë rezultuar se përmbajnë substancën narkotike kanabis-marihuanë.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe 19,900 euro, për të cilat Prokuroria pretendon se janë përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm i kultivimit të narkotikëve.
Po ashtu, gjatë kontrollit të veturës së N.G., policia ka gjetur dhe sekuestruar 65 fishekë, të cilët dyshohet se mbaheshin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







