Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas miratimit të pakos për përballjen me inflacionin nga Qeveria në detyrë, pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Abdixhiku ka thënë se ndarja e kësaj pakoje është thjeshtë një propagandë, blerje votash dhe ofendim.
“Blerje votash, propagandë. fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet. Asnjë ide. Asnjë projekt. Asnjë punë.
Kjo nuk është pako e inflacionit. Kjo është pako e tentimit për blerje vote. Një përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve. Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit!”, thuhet në reagimin e Abdixhikut.
Sipas tij, Kosovës i duhet një kapitull i ri, ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh.
“Populli i Kosovës nuk blihet. E ardhmja e tyre nuk është në shitje. Kosovës i duhet një kapitull i ri. Një kapitull ku politikanët nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh. Ku mirëqenia nuk shpërndahet si favor elektoral, por ndërtohet si politikë e përhershme shtetërore. Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës!”, ka thënë ai.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







