Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka shqiptuar gjoba ndaj KEDS-it, pas konstatimit se kompania nuk ka respektuar afatin e vlefshmërisë së verifikimit për njehsorët elektrikë.
Sipas njoftimit të MINTI-t, pas ankesave të pranuara nga konsumatorët, janë intensifikuar kontrollet në terren përmes Komisionit Verifikues për njehsorët elektrikë.
Gjatë verifikimeve të realizuara në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë, është konstatuar se disa njehsorë elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, duke rezultuar në shkelje nga ana e KEDS-it.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, duke u mbështetur në Ligjin për Metrologji, ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,500 deri në 5,000 euro për secilin njehsor me afat të skaduar të vlefshmërisë.
MINTI ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe në trajtimin me prioritet të çdo ankese që adresohen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve.
Po ashtu, ministria ka bërë të ditur se për të lehtësuar raportimin e parregullsive në treg, nga sot është funksionalizuar një numër mobil për pranimin e ankesave, ku qytetarët mund të raportojnë në çdo kohë, përfshirë vikendet dhe festat, edhe përmes platformës Viber.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







