Policia Rajonale në Pejë ka intensifikuar kontrollet në komunikacion, duke sekuestruar 20 motoçikleta dhe duke shqiptuar 55 gjoba brenda vetëm një jave.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, aksioni është realizuar në kuadër të Planit Operativ “Kontrolli i shtuar i qarkullimit të Motoçikletave, Skuterëve, Trotinetëve dhe Katërçikletave 2026”, i cili po zbatohet nga data 23.03.2026.
“Gjatë periudhës 23 mars – 29 mars 2026, policia ka ndërmarrë veprime konkrete në terren, ku përveç sekuestrimit të motoçikletave janë shqiptuar edhe gjoba për shkelje të ndryshme: 15 gjoba për motoçikleta pa regjistrim; 22 gjoba për mosposedim të patentë shoferit dhe; 18 gjoba për mosbartje të helmetës”, njofton policia
Kjo e fundit ka paralajmëruar se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do të ketë tolerim ndaj shkelësve të ligjit, me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë dhe parandalimit të aksidenteve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë apel të veçantë për ngasësit e motoçikletave që të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përdorin pajisjet mbrojtëse, veçanërisht helmetën.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







