spot_img
HomeLajmePDK kërkon ulje të menjëhershme të taksave për naftën

PDK kërkon ulje të menjëhershme të taksave për naftën

spot_img

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka akuzuar Qeverinë Kurti për thellim të krizës ekonomike për shkak të mosveprimit ndaj rritjes së çmimit të naftës, duke theksuar se kjo po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

Në një konferencë për media, ai tha se për çdo litër naftë qytetarët paguajnë rreth 60 centë taksa (akcizë dhe TVSH), duke e cilësuar këtë si barrë të rëndë në kohë krize.

“Sot, për çdo litër naftë, shteti merr rreth 60 centë taksa: 36 centë akcizë dhe 24 centë TVSH. Pra, kur një qytetar furnizohet me naftë, në çmimin prej 1.80 euro për litër, nuk paguan vetëm çmimin e naftës, por i paguan edhe shtetit 60 centë taksa. Kjo është një barrë që duhet të lehtësohet në këtë kohë krize”, tha Mustafa.

Sipas tij, heqja e përkohshme e këtyre taksave do të ulte menjëherë çmimin e naftës dhe do të frenonte rritjen zinxhirore të çmimeve.

Mustafa paralajmëroi se rritja e çmimit të naftës prek gjithë ekonominë, sidomos sektorin e bujqësisë, duke rritur kostot e prodhimit dhe çmimet për konsumatorët.

Ai tha se PDK kërkon ulje të menjëhershme të taksave për derivatet, mbështetje shtesë për bujqit dhe prodhuesit vendorë, si dhe një plan emergjent anti-inflacion me masa konkrete për stabilizimin e çmimeve dhe kontroll më të rreptë të tregut.

“Masa konkrete dhe të drejtpërdrejta për mbrojtjen e bujqve dhe prodhuesve vendorë, përfshirë subvencione shtesë dhe mbështetje për inputet bazë në këtë sezon kritik. Një plan emergjent, të qartë dhe të matshëm, për përballimin e rritjes së çmimeve, që garanton stabilitet për familjet dhe bizneset. Pra, një plan emergjent anti-inflacion, me objektiva konkrete për stabilizimin e çmimeve dhe masa të koordinuara mes ministrive”, tha pos tjerash Mustafa.

Ai i bëri thirrje Qeverisë që të fokusohet në mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë, në vend të thellimit të krizave politike.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img