Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci është deklaruar rreth largimit të tabelave reklamuese apo billbordeve, të vendosura pa leje në komunë.
Peci, me anë të një postimi në Facebook, ka sqaruar se te këto largime përjashtim bën vetëm billbordi i vendosur për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Kadri Veseli, për shkak të – sipas tij – rrethanave në të cilat gjenden ata.
Tutje, Peci ka ironizuar me përfaqësuesit e PDK-së, duke thënë se kanë dalë të bëjnë “filma”, duke nënvizuar se atyre po iu dhimbsen bizneset, e jo Thaçi e Veseli.
Postimi i plotë:
Të gjithë duhet të mësohemi që Mitrovicën ta bëjmë qytet normal ku sundon rregulli, rendi dhe ligji.
Autoritetet komunale po largojnë tabelat reklamuese/billbordat që janë vendosur pa leje dhe shfytëzohen kundërligjshëm.
Si kryetar, u kam rekomanduar që të ketë përjashtim vetëm billbordi i vendosur për ish Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryekuvendarin Kadri Veseli për shkak të rrethanave në të cilat gjenden ata.
Përfaqësuesit e PDK-së që paskan dalë për të bërë filma në rrugë, le të pijnë ndonjë pije të ftohtë sepse po iu dhimbsen bizneset e jo Thaçi e as Veseli.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!