Xhiro e 25-të e Superligës së Kosovës në futboll do të vijojë ditën e sotme me tri ndeshje të tjera.
Lideri Ballkani do të ketë punë si mysafir me Prishtinën e Re, në ndeshjen që zhvillohet në “Kampin Nacional”, Hajvali.
‘Portokallinjtë’ vijnë pas një fitore të madhe në shtëpi ndaj Dritës, duke e mposhtur thellë me rezultat 3-0, për të rimarrë kreun e tabelës. Ndërkohë, Prishtina e Re aktualisht mban pozitën e fundit në tabelë me 23 pikë.
Dueli tjetër është ai mes Dritës dhe Dukagjinit. Të dyja skuadrat vijnë nga një humbje pasuese, ndaj Ballkanit, respektivisht Llapit. Gjilanasit ndodhen në pozitën e dytë me 42 pikë, aq sa ka edhe Ballkani, ndërsa Dukagjini ndodhet në vendin e gjashtë me 33 pikë.
Sfida tjetër është ajo mes Llapit dhe Gjilanit. Podujevasit morën tre pikë të mëdha në momentet e fundit ndaj Dukagjinit në fundjavën që shkoi, duke arritur në kuotën e 29 pikëve, e pozicionuar e 8-ta në tabelë. Ndërsa Gjilani u mposht në shtëpi nga Drenica me rezultat minimal, duke mbetur në kuotën e 36 pikëve, e renditur në vendin e pestë.
Të gjitha duelet zhvillohen në orarin e njëjtë, nga ora 13:00.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







