Xhiro e 24-të në Superligën e Kosovës në Futboll do të vijojë këtë fundjavë me ndeshje tejet interesante.
E ‘ajka’ e kësaj xhiro është padyshim dueli i së dielës, ku takohen dy gjigantët që kanë dominuar futbollin kosovar viteve të fundit, Drita dhe Ballkani.
Dy skuadrat ndajnë vendin e parë dhe të dytë, me gjilanasit që morën lidershipin në fundjavën e kaluar, duke e renditur tani me 42 pikë, e pasuar nga suharekasit që kanë 39.
Forma e Dritës:
Pas 23 xhirove, Drita ka 12 fitore, 6 barazime e pesë humbje, duke shënuar në proces 34 gola dhe pranuar 22.
Gjilanasit prijnë tabelën edhe në ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, ku ka mbledhur më shumë pikë se çdo skuadër tjetër – gjithsej 25, me tetë fitore, 1 barazim e dy humbje pas 11 ndeshjeve.
‘Kaltër e bardhët’ ndodhen në një seri prej 9 ndeshjesh të pamposhtur në Superligë (5 fitore, 4 barazime), megjithatë humbja e tyre e fundit erdhi pikërisht nga Ballkani, më 30 nëntor të vitit të kaluar.
Forma e Ballkanit:
Skuadra e Ballkanit ka mbajtur kryesimin në tabelë për pjesën më të madhe të këtij edicioni deri tani, megjithatë pas një humbje së fundmi ndaj Llapit, bëri që ata të humbasin kryesimin.
‘Portokallinjtë’ pas 23 xhirove kanë 11 fitore, 6 barazime e 6 humbje, duke u pozicionuar të dytit në tabelë me 39 pikë.
Trajneri kroat i Ballkanit, Mislav Karoglan pasi shkoi në pesë ndeshjet e para i pamposhtur në kampionat (4 fitore, 1 barazim), ai tani ka humbur 3 nga 4 ndeshjet e fundit në ligë me klubin portokalli (1 fitore).
Statistikat kokë-më-kokë:
Në dy ndeshjet e zhvilluara të këtij sezoni, Ballkani ka dalë triumfues në të dyja rastet. Fillimisht suharekasit mposhtën gjilanasit 2-0 në shtëpi në shtator, ndërsa në nëntor triumfuan 3-2 në Gjilan.
Në përgjithësi, dy skuadrat janë takuar gjithsej 28 herë në Superligë që nga viti 2018.
Dy skuadrat kanë rekord shumë të ngjashëm me njëra-tjetrën, me Ballkanin që prin vetëm me vetëm një fitore më shumë.
Në 28 takimet direkte, Ballkani ka 11 fitore, Drita 10 fitore, ndërsa 7 herë janë ndalur me barazim.
Çfarë pritet në këtë ballafaqim dhe kush është favoriti?
Të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren, pasi tre pikë ndaj një rivali direkt për titull mund të jenë të mëdha në fund të sezonit.
Drita do të kërkojë fitoren për t’u shkëputur nga përcjellësi në 6 pikë, ndërsa Ballkanit i duhet fitorja për barazuar me pikë Dritën, duke mbajtur hapin për titull.
Bazuar në formën e ekipit, Drita pozicionohet më mirë, pasi ndodhet e pamposhtur në secilën nga nëntë ndeshjet e fundit në kampionat.
Ballkani në anën tjetër ndodhet në formën jo më të mirë pasi ka humbur tre nga katër ndeshjet e fundit në Superligë, megjithatë ka përparësinë e terrenit që luan pranë shikuesve të vet dhe gjithashtu fakti që kanë bilanc 100% të fitoreve në dy duelet direkte ndaj Dritës këtë sezon.
Ndeshja zhvillohet të dielën, nga ora 13:00 në “Stadiumin e Qytetit” në Suharekë.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







