Derisa liderët e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike po vazhdojnë takimin drejt gjetjes së një zgjidhjeje sa i përket çështjes së presidentit, shefja e deputetëve të partisë në pushtet, Arbërie Nagavci ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk do të ndalë angazhimin e tij në përmbushje të synimit që vendit t’ia ofrojë presidentin/presidenten brenda afatit kushtetues.
Nagavci tha se lakimi i emrave të përveçëm për president në këto rrethana, veçse mund të vështirësojë negociatat.
“Kërkoj pak mirëkuptim në këtë kohë negociatash e diskutimesh për të gjetur një zgjidhje. Të gjithë ne jemi të interesuar të kontribuojmë në funksion të zgjidhjes e jo të lakimit të emrave të përveçëm, të cilët veçse mund të vështirësojnë negociatat. Unë besoj shumë se kryeministri Kurti nuk do të ndalë angazhimin e tij në përmbushje të synimit që vendit t’ia ofrojë presidentin/presidenten brenda afatit kushtetues”, tha shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci në një paraqitje para mediave në Kuvendin e Kosovës.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







