Kryeministri, Albin Kurti, pritet të takohet sot në orën 14:00 me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në kuadër të konsultimeve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Takimi vjen një ditë pasi Kurti zhvilloi bisedë edhe me liderin e Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, me të cilin diskutoi po ashtu për çështjen e kreut të shtetit.
Takimi i sotëm mes tyre, ndryshe nga ai Kurti-Hamza, do të mbahet në hapësirat e Kuvendit të Kosovës në ora 14:00.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Kryeministri Kurti takon sot kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku në orën 14:00 në hapësirat e Kuvendit”, ka thënë ai.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për votimin e presidentit të ri është 4 marsi. Këto data e vendosin procesin në një kornizë të ngushtë kohore.
Sipas Kushtetutës, për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para kërkohen së paku dy të tretat e votave të deputetëve, përkatësisht 80 vota nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës. Çdo kandidaturë duhet të mbështetet nga të paktën 30 nënshkrime deputetësh. Nëse në dy raundet e para asnjë kandidat nuk arrin 80 vota, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kurti, ka 57 ulëse në Kuvend, çka e bën të domosdoshme arritjen e një marrëveshjeje me partitë e tjera për të siguruar shumicën e nevojshme.
Dështimi për ta zgjedhur brenda afatit kushtetues do të kishte pasoja të drejtpërdrejta politike. Nëse deri më 4 mars nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi do të duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







