Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhënat e përditësuara lidhur me procesin e rinumërimit të votave për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas raportit të fundit, të përditësuar të premten, më 16 janar 2026, në ora 10:00, nga gjithsej 2,557 vendvotime në nivel vendi, është paraparë që të rinumërohen 914 vendvotime, ndërsa deri më tani janë rinumëruar 216 vendvotime.
Rinumërimi është duke u zhvilluar sipas përqindjeve të përcaktuara për secilën komunë, ku në disa prej tyre procesi përfshin 10 për qind të vendvotimeve, ndërsa në komuna të caktuara rinumërimi është vendosur të bëhet në 100 për qind.
Komunat me numrin më të madh të vendvotimeve të planifikuara për rinumërim përfshijnë Prizrenin, Ferizajn, Vushtrrinë, Skenderajn, Shtimen, Dragashin, Kaçanikun dhe Leposaviqin, ndërkohë që në disa komuna procesi ende nuk ka nisur.
Nga ana tjetër, deri tani rinumërimi ka përfunduar në disa komuna si Deçani, Gjakova, Gjilani, Mitrovica e Jugut, Lipjani dhe Obiliqi, ku numri i vendvotimeve të rinumëruara përputhet me planifikimin fillestar.
KQZ ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit po zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe se përditësime të tjera do të publikohen në vazhdim, deri në përmbylljen e plotë të këtij procesi.
/HisariOnline/







