spot_img
HomeLajmeOsmani: Reçaku ishte zgjimi i ndërgjegjes së botës demokratike

Osmani: Reçaku ishte zgjimi i ndërgjegjes së botës demokratike

spot_img

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalim në akademinë përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të masakrës së Reçakut, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga dëshmitë më të rënda të krimeve të regjimit gjenocidal serb ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë.

Osmani tha se ka vende që nuk heshtin kurrë dhe ku gjurma e dhimbjes mbetet po aq e freskët sa edhe para 27 vitesh, e i tillë është Reçaku. Sipas saj, Reçaku nuk është vetëm një emër në historinë e Republikës së Kosovës, por një pikë kthese që e qartësoi para botës realitetin e hidhur të dhunës shtetërore serbe ndaj civilëve shqiptarë.

Ajo theksoi se 15 janari i vitit 1999 e bëri Reçakun simbol të vuajtjes së një populli që kërkonte liri, por edhe simbol të guximit për ta quajtur krimin me emrin e vërtetë. Ky guxim, sipas Osmanit, u dëshmua nga ambasadori William Walker, i cili edhe sot mbetet simbol i së vërtetës.

Presidentja përkujtoi deklaratën e ambasadorit Walker më 16 janar 1999 në Reçak, kur ai e përshkroi ngjarjen si masakër dhe si krim të rëndë kundër njerëzimit, duke theksuar se këto fjalë nuk ishin vetëm deklarata, por një pikë kthese historike që tronditi botën dhe ia hoqi maskën gënjeshtare regjimit gjenocidal të Serbisë.

Osmani rikujtoi se 27 vjet më parë, në këtë vend, 45 civilë – burra, gra dhe të moshuar – u masakruan mizorisht, shumica e tyre në Kodrën e Bebushit, vetëm pse ishin shqiptarë dhe kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre.

Në mesin e viktimave, ajo përmendi edhe familjen Mehmeti, duke rrëfyer historinë e dy vëllezërve binjakë, Benjamin dhe Elhami Mehmeti. Osmani tha se në atë ditë të ftohtë janari, një vendim i pafajshëm për t’u kthyer në shtëpi ndau fatin e dy vëllezërve, ku Elhamiu u vra nga plumbat e regjimit serb, ndërsa motra e tyre, Hanumshahja, u vra teksa tentoi t’i dilte në ndihmë vëllait. Po atë ditë, Benjamini humbi edhe babanë e tij.

Sipas Osmanit, dhimbja e Benjamin Mehmetit nuk është dhimbje individuale, por dhimbje e gjithë Kosovës, sepse ata që humbën më të dashurit e tyre janë të shumtë dhe janë pjesë e shoqërisë çdo ditë. Ajo theksoi se në Kosovë secili ka dhënë diçka për lirinë – gjak, pushkë, djersë apo lot – dhe se pikërisht kjo sakrificë e bëri të mundur lirinë dhe shtetin e pavarur të Kosovës.

Presidentja vlerësoi se masakra e Reçakut ishte kthesë historike, pasi pamjet e asaj dite tronditën ndërgjegjen ndërkombëtare dhe mobilizuan diplomacinë botërore. Ajo tha se kjo ndodhi sepse ambasadori Walker pati guximin ta cilësonte krimin me emrin e tij të vërtetë dhe nuk iu nënshtrua propagandës së regjimit të Millosheviqit.

Osmani shprehu mirënjohje të thellë për ambasadorin Walker, duke theksuar se falë të vërtetës që ai e tha, bota e njohu krimin që Serbia kishte kryer ndaj viktimave të pafajshme në Kosovë. Ajo nënvizoi se kjo e vërtetë ishte e qartë atëherë, është e qartë edhe sot dhe do të mbetet e tillë pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për rishkrim të historisë.

/HisariOnline/ 

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img