Sonte do të zhvillohet finalja e Supërkupës së Spanjës mes Real Madridit dhe Barcelonës.
‘El Classico’ do të jetë takimi i 263-të sonte mes dy skuadrave më të trofeshme spanjolle, që do të luhet në Arabi, me fillim nga ora 20:00 me orën tonë lokale.
Dy rivalët e përjetshëm janë takuar tashmë këtë sezon, me Real Madridin që fitoi 2-1, duke i dhënë fund serisë prej katër fitoreve radhazi të Barcelonës në El Clásico. Megjithatë, katalanasit kanë kujtime të ëmbla nga Superkupa, pasi sezonin e kaluar e shkatërruan Realin 5-2 në finale, duke fituar trofeun e 15-të në histori.
Gjendja e skuadrave
Barcelona ka lajme pozitive nga infermieria, me vetëm Gavi, Ter Stegen dhe Christensen të dëmtuar. Lamine Yamal është konfirmuar i gatshëm për start, ndërsa Flick pritet të ruajë të njëjtën formacion nga gjysmëfinalja.
Formacioni i mundshëm i Barcelonës (4-2-3-1):
García; Kounde, Cubarsí, García, Balde; Pedri, De Jong; Yamal, Fermín, Raphinha; Ferran Torres.
Te Real Madridi, vëmendja kryesore është te Kylian Mbappé. Francezi udhëtoi papritur me ekipin pas rikuperimit nga dëmtimi në gju dhe pritet të startojë, edhe pse jo 100% i gatshëm. Dyshime mbeten për Rodrygon, Rüdigerin dhe Asencion, ndërsa Militão dhe Brahim Díaz mungojnë.
Formacioni i mundshëm i Real Madridit (4-2-3-1):
Courtois; Valverde, Asencio, Huijsen, Carreras; Tchouaméni, Camavinga; Rodrygo, Bellingham, Vinicius Junior; Mbappé.
/HisariOnline/







