Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të shumta, lumenjtë në territorin e komunës kanë shkaktuar vërshime në disa zona.
Ai ka njoftuar se për menaxhimin e situatës është formuar Shtabi Lokal për Menaxhimin e Krizave, me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve përkatëse.
Sipas njoftimit, në lagjet Dardania, Brekoci dhe Fshati i Gjelbërt janë kryer evakuime të disa familjeve të prekura nga vërshimet, ndërsa për familjet që kanë nevojë për strehim, komuna ka siguruar akomodim të përkohshëm në banesat sociale.
Zjarrfikësit janë në terren gjatë gjithë kohës duke ndihmuar qytetarët, ndërsa kompania “Çabrati” është angazhuar në pastrimin e urave dhe zonave më problematike.
Gjini ka theksuar se të gjitha ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie, duke paralajmëruar se 24 orët e ardhshme pritet të jenë më të ndjeshme.
Ai ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet pranë lumenjve, si dhe të njoftojnë ekipet emergjente për çdo problem.
/HisariOnline/







