Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në Prizren, ku një fëmijë i moshës rreth 1-vjeç ka humbur jetën pas kaplimit të zjarrit në një shtëpi banimi, me vdekjen që dyshohet se ka ardhur si pasojë e thithjes së tymit.
Tragjike në Prizren: Zjarr në një shtëpi banimi, humb jetën një fëmijë 1-vjeçar
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili tha se në këtë incident janë shpëtuar tre fëmijë të tjerë, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë.
Ndërkohë, mediat lokale kanë publikuar pamjet nga vendngjarja, ku shihet shtëpia banuese komplet e kapluar nga zjarri.

Bytyqi shtoi se zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht, ndërsa shkaqet do të hetohen nga organet kompetente.
“Njësitë emergjente kanë reaguar menjëherë dhe zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht. Ekipet përkatëse vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes. Shkaqet e zjarrit janë duke u hetuar nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore”, tha Shaqiri.
/HisariOnline/







