spot_img
HomeLajmeMjetet piroteknike, ndriçim i qiellit për pak sekonda me...

Mjetet piroteknike, ndriçim i qiellit për pak sekonda me pasoja që mund të zgjasin gjatë 

spot_img

Festat e fundvitit, që zakonisht shënohen me gëzim dhe entuziazëm, po shoqërohen çdo vit e më shumë edhe me shqetësime serioze për sigurinë publike. Shfrytëzimi masiv i mjeteve piroteknike, si fishekzjarret, është kthyer në një fenomen të zakonshëm në qytete dhe lagje, shpesh pa asnjë kontroll dhe në kundërshtim me rregullat ligjore.

Për pasojë, këto mjete piroteknike po shkakojnë dëme të mëdha sic janë lëndimet e rënda trupore, dëmtime të pronës, ndotje të ambientit e trauma psikologjike, veçanërisht te fëmijët.

Institucionet shëndetësore dhe ato të sigurisë paralajmërojnë çdo vit për pasojat e përdorimit të pakujdesshëm të mjeteve piroteknike, ndërsa thirrjet për vetëpërmbajtje shpesh bien në vesh të shurdhër.

Sa të sigurt janë përdoruesit e fishekzjarrëve?

Rreziku nuk i kërcënon vetëm ata që shqetësohen nga zhurma, por edhe vetë personat që i ndezin mjetet piroteknike. Përdorimi pa njohuri, pa pajisje mbrojtëse e rrit ndjeshëm mundësinë e aksidenteve. Çdo vit raportohen raste të djegieve të rënda, dëmtimeve të syve dhe amputimeve, duke dëshmuar se siguria e atyre që i përdorin fishekzjarrët mbetet minimale, sidomos kur mungon kontrolli dhe edukimi për përdorimin e tyre.

24 persona u lënduan nga mjetet piroteknike në festat e fundvitit vitin e kaluar në Kosovë, derisa disave iu amputuan gishtërinjtë pas lëndimeve të rënda të pësuara si pasojë e tyre.

Të miturit dhe qasja e lehtë në mjete piroteknike

Shqetësim serioz mbetet shitja e mjeteve piroteknike te të miturit nën moshën 18-vjeçare. Pavarësisht kufizimeve ligjore, në praktikë këto mjete shpesh përfundojnë në duart e fëmijëve dhe adoleshentëve. Mungesa e ndërgjegjësimit dhe e kontrollit bën që të miturit të ekspozohen drejtpërdrejt ndaj rrezikut, duke u kthyer në viktimat më të shpeshta të aksidenteve gjatë festave të fundvitit.

Shitja pa kontroll në rrugët e qyteteve

Fenomeni i shitjes së mjeteve piroteknike pa licencë dhe pa kontroll institucional është i pranishëm pothuajse në çdo cep të qyteteve. Stenda të improvizuara, tregti ambulante dhe shitje pa dokumentacion përbëjnë një realitet të përditshëm në fundvit. Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi rolin dhe përgjegjësinë e organeve kompetente në zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e sigurisë publike.

Ndërkohë që qytetarët përballen me zhurmë, frikë dhe rrezik, reagimi institucional mbetet i vakët. Apelët sporadikë nuk mjaftojnë për të ndalur një fenomen që po përsëritet çdo vit. Pa masa konkrete, pa kontrolle të vazhdueshme dhe pa ndëshkime reale, fundviti vazhdon të jetë periudhë feste për disa dhe periudhë ankthi për shumë të tjerë.

Kush mban përgjegjësi për sigurinë?

Në një realitet ku çdo qytetar mund të ndezë fishekzjarrë në mes të lagjes, pyetja kryesore mbetet: sa të sigurt janë ata që i përdorin dhe kush mban përgjegjësi për pasojat? Çdo fundvit, urgjencat spitalore mbushen me të lënduar nga mjete piroteknike, duke dëshmuar se përdorimi i tyre bëhet pa asnjë standard sigurie. Rreziku shpesh injorohet deri në momentin kur ndodh aksidenti, ndërsa paralajmërimet e ekspertëve mbeten vetëm në letër.

Trauma e luftës, një realitet i shpërfillur

Më shqetësuese se kaq është fakti se institucionet duket se injorojnë një realitet të pamohueshëm: Kosova ka kaluar luftë. Për qytetarët që e kanë përjetuar drejtpërdrejt periudhën e viteve 1998–1999, çdo shpërthim i fortë nuk është festë, por rikthim i menjëhershëm i traumës. Zhurmat e pakontrolluara zgjojnë kujtime të dhimbshme, ankth dhe frikë, duke treguar mungesë të plotë ndjeshmërie institucionale ndaj kësaj kategorie të shoqërisë.

Festa kërkon përgjegjësi, jo kaos

Fishekzjarrët mund të ndriçojnë qiellin për pak sekonda, por pasojat e përdorimit të pakujdesshëm të tyre zgjasin shumë më gjatë. Festa nuk duhet të justifikojë shkeljen e ligjit, rrezikimin e jetës dhe shpërfilljen e traumave kolektive. Derisa institucionet të marrin përgjegjësinë që u takon dhe qytetarët të reflektojnë mbi pasojat e veprimeve të tyre, festat e fundvitit do të vazhdojnë të shoqërohen më shumë me zhurmë dhe frikë sesa me gëzim.

/HisariOnline/ 

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img