Në ditën e Krishtlindjeve, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur Mesha e Krishtlindjeve, e udhëhequr nga famulltari Don Agim Qerkini. Gjatë fjalës së tij, Don Agim Qerkini u bëri thirrje besimtarëve që të luten për paqe, ta mbrojnë jetën dhe t’i shërbejnë asaj në kuptimin e plotë të fjalës.
Ai tha se Krishtlindjet janë festë e paqes, duke theksuar se bëhet fjalë për një paqe të trefishtë: me Zotin, me të afërmin dhe me vetveten.
“Fjala e Zotit na flet shumë e ajo që kemi nevojë të jemi të hapur përballë saj.. Le ta lejojmë Zotin të na flet, le të mundohemi t’i japim hapësirë atij në jetën tonë, sa e zhurmshme kjo botë, sa e vështirë të gjejmë pak qetësi në jetë. Mbase edhe këtu në Kishë shpesh me celular në dorë nuk arrijmë të shkëputemi nga kjo sferë e jetës tokësore që sikur ky tymi i kemit është të plotësohet lutja jonë drejt Zotit.. Festa e Krishtlindjes është festë e jetës dhe na fton Zoti që ta mbrojmë jetën, ta ruajmë, ta shërbejmë me kontekstin e plotë të fjalës, që të mund të realizohemi si bijtë e Zotit dhe sa shumë plagë ka sot mbarënjerëzimi i mbërthyer nga bota materiale, nga hedonizmi, jeta për të jetuar sipas ëndjes së vet. Është festë e paqes, e një paqeje të trefishtë me Zotin dhe me të afërmin, por edhe me vetveten. Si mund të themi jemi në paqe me Zotin, nëse nuk jemi në paqe me njëri-tjetrin e me njëri-tjetrin nëse zemra nuk ka paqe. Na fton të gjithëve të reflektojmë mbi këto virtyte, në mënyrë që edhe atëherë nuk e kemi lehtë t’ia besojmë Zotit”,tha Don Agim Qerkini.







