Regjisori Astrit Bytyqi tregon se rrugëtimi i tij drejt artit ka qenë spontan. Nga angazhimi në aktivitete shoqërore dhe organizata joqeveritare në Suharekë, ku u ballafaqua me tema të ndjeshme shoqërore, lindi edhe dëshira për artin dhe skenën. “Skena të bën për vete, është një magji që nuk ta jep jeta, por vetëm teatri”, shprehet ai.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Bytyqi u përball me dilema për të ardhmen, por vendosi ta ndjekë pasionin e tij. Pa përkrahje dhe pa informata të mjaftueshme, ai aplikoi në Akademinë e Arteve dhe u pranua, duke e konsideruar këtë moment si një nga më vendimtarët në jetën e tij.
Sipas tij, studimet në Akademinë e Arteve janë sfiduese dhe kërkojnë përkushtim të madh. Një nga përvojat më të rëndësishme ishte realizimi i shfaqjes së diplomës, ku punoi me artistë profesionistë. Ai thekson se një regjisor duhet të jetë i lexueshëm, hulumtues dhe i gatshëm për bashkëpunim.
Bytyqi ka edhe një dëshirë personale për të realizuar një film të bazuar në përvojat e tij si fëmijë gjatë luftës, një ide që e konsideron shumë emocionale. Megjithatë, ai thekson se teatri mbetet vendi ku ai frymon artistikisht.
Në kohën e teknologjisë, teatri përballet me sfida, por sipas Astrit Bytyqit, ai mbetet i pazëvendësueshëm. “Teatri nuk mund të ekzistojë pa aktorin dhe pa publikun”, thotë ai.
Viti që po mbyllet ka qenë shumë aktiv për regjisorin, me organizimin e disa festivaleve teatrore dhe kulturore. Aktualisht, ai po përgatitet për një projekt të ri, ndërsa mesazhi i tij për të rinjtë është i qartë: të mos dorëzohen dhe të ndjekin ëndrrën e tyre me këmbëngulje.
Më poshtë intervista e plotë:
/HisariOnline/







