Trajneri i Ballkanit, Mislav Karoglan e ka quajtur një fitore të madhe triumfin ndaj Prishtinës fundjavën që shkoi, por ka shtuar se duhet ende të përmirësohen në shumë gjëra.
Pas ndeshjes së zhvilluar në fundjavë, në kuadër të xhiros së shtatëmbëdhjetë të Superligës së Kosovës në futboll, Karoglan ka thënë se skuadra e tij e meritoi fitoren, pavarësisht momenteve të vështira gjatë lojës.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por një fitore e madhe dhe e rëndësishme për ne. Patëm momente të mira dhe momente të vështira, por në fund e merituam fitoren. Ky është një start i mirë që na jep motivim të vazhdojmë të punojmë më shumë dhe të përmirësohemi”, është shprehur Karoglan.
Tutje ai ka folur edhe për kundërshtarin e ardhshëm të Ballkanit, Dukagjinin, duke thënë se do të luajnë me një ekip të fortë të cilët renditen në pozitën e dytë në tabelë.
Jemi liderë, por tabela ende nuk është e plotë pasi disa ekipe kanë ndeshje më pak. Tani na pret Dukagjini, ekip i fortë dhe i dyti në renditje. Do të luajmë në kushte dhe fushë ndryshe, ndaj duhet të jemi të përgatitur dhe të adaptohemi që nga minutat e para. Do të japim maksimumin, as më shumë e as më pak.”
Karoglan ka bilanc perfekt deri tani si kryetrajner i Ballkanit, duke fituar katër nga katër ndeshjet e tij, tre në Superligë dhe një në Kupë – me një goldallim 13-4.
Ndeshja ndaj Dukagjinit do të jetë e fundit e zhvilluar e stinorit vjeshtor, ndërsa ‘Portokallinjtë’ me një fitore eventuale do të vulosnin vendin e parë dhe konfrimoheshin si kampion i stinorit vjeshtor.
/HisariOnline/







