Zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar se Bashkimi Europian ka investuar 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999.
Sipas një njoftimi në Facebook, BE tha se me këto shifra është ofruesi më i madh i Ndihmës Financiare dhe Partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës.
“Me 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja është ofruesi më i madh i ndihmës financiare dhe partneri juaj më i fortë dhe më i besueshëm. BE-ja po ndihmon në zhvillimin e ekonomisë, forcimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e cilësisë së arsimit, kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturës, avancimin e mbrojtjes së mjedisit dhe energjisë së qëndrueshme dhe promovimin e kulturës”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Zyra e BE-së theksoi se mbështetja e saj po sjell ndryshime të vërteta në jetën e qytetarëve, duke kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë.
“Në çdo hap, BE-ja është në krahun tuaj, duke mbështetur progresin dhe duke ofruar mundësi”, thuhet tutje në reagim.

/HisariOnline/







