spot_img
HomeLajmeKryetarët serbë: Në takim me ministrin Krasniqi nuk u...

Kryetarët serbë: Në takim me ministrin Krasniqi nuk u diskutua për integrimin

spot_img

Kryetarët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë u takuan të premten në Prishtinë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, por thanë se “nuk është diskutuar për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e Kosovës”.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviç, tha se ata nuk janë kompetentë për çështjen e integrimit dhe se ajo duhet të negociohet brenda kornizës së dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne, si kryetarë komunash, besojmë se kjo nuk është diçka me të cilën duhet të merremi; është ekskluzivisht një temë për negociata dhe negociatorët kryesorë”, tha ai.

Takimi i kryetarëve të dhjetë komunave me shumicë serbe dhe ministrit Krasniqi u paralajmërua më herët nga ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se pesë-gjashtë javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për integrimin e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit dhe se të gjithë duhet të jenë konstruktivë për këtë çështje.

“Do të ishte mirë që kryetarët e komunave të tregonin sa më shumë përgjegjësi që të jetë e mundur në këtë fazë, sepse mirëqenia e qytetarëve të tyre varet kryesisht nga qasja që do të ndjekin në javët e ardhshme”, tha Bislimi.

Megjithatë, Radojeviç tha se ky takim kishte të bënte me problemet komunale, administrative ose teknike, me të cilat po përballen komunat.

“Kemi edhe probleme me personelin dhe institucionale, ndryshimin e kufijve të komunave…”, tha ai.

Radojeviç shtoi se nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ministri Krasniqi për problemet e ngritura, por se e pret në të ardhmen.

Një ditë më herët, kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë miratuan një deklaratë, me të cilën hodhën poshtë dhe dënuan çdo veprim ose aktivitet që mund të rrezikojë punën dhe shërbimet e institucioneve shëndetësore dhe arsimore, që veprojnë në mjediset me shumicë serbe, brenda sistemit të Serbisë.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img