Luka Misetiq, avokat i Hashim Thaçit, tha se shpallja fajtor e ish-presidentit të Kosovës do të përbënte “padrejtësi historike”.
Ai iu drejtua gjykatësve gjatë fjalës përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, duke u thënë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet.
“Argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju ta rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta gjetur fajtor Hashim Thaçin. Ka dyshime të bazuara të mjaftueshme për ju që ta shpallni atë jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.
Tutje, avokati i Thaçit u fokusua te pika e akuzës së Prokurorisë (ZPS) se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në krye me të akuzuarit, me qëllim të marrjes nën kontroll të gjithë Kosovës.
Mishetiq u ka thënë gjyqtarëve se nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ka ekzistuar një plan i tillë.
“Nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi. Në fakt, secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e ZPS-së, dhe për më keq, ZPS-ja nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari”, ka thënë Mishetiq.
Përgjatë fjalës së tij, avokati Mishetiq ka thënë se Thaçi nuk ka qenë në Kosovë në një pjesë të madhe të kohës që përmendet në aktakuzë dhe që nuk ka prova se ai ka marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.
“Prokuroria përpiqet që ta anashkalojë problemin e mungesës së zotit Thaçi në Kosovë, duke argumentuar se anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm janë konsultuar përmes telefonit apo janë njoftuar më pas lidhur me rezultatet e takimeve të Shtabit të Përgjithshëm”.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







