Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur granata dore dhe disa pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës në një shtëpi të braktisur në fshatin Dobroshevina të Zubin Potokut.
Sipas njoftimit, me datën 10.02.2026, rreth orës 23:20, njësitë policore gjatë patrullimit kanë pranuar informacion se në një shtëpi të braktisur në fshatin Dobroshevina kishte mjete të dyshuara ilegale. Pas kontrollit, Policia ka gjetur dhe ka sekuestruar:6 granata dore, 1 maicë dhe 2 këmisha të Policisë së Kosovës.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia për trajtimin e mjeteve shpërthyese (EOD), e cila ka tërhequr mjetet shpërthyese në mënyrë të sigurt.
Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Policia bën të ditur se lidhur me këtë rast, nuk ka persona të arrestuar dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke i ftuar që të raportojnë çdo rast të dyshimtë në numrin 192.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







