Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar opinionin publik se ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin dhe sigurimin e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në kuadër të këtij autorizimi, sot Policia e Kosovës ka intervistuar disa persona të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike.
Në njoftim thuhet se pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt. Hetimet vazhdojnë me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, thekson se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







