HomeLajmeShtyhen afatet për tatimin në pronë për vitin 2026

Shtyhen afatet për tatimin në pronë për vitin 2026

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka shtyrë afatet për lëshimin e faturave dhe pagesën e tatimit në pronë për vitin 2026, me qëllim të mbrojtjes së interesit të tatimpaguesve dhe garantimit të administrimit të drejtë dhe ligjshëm të këtij tatimi.

Lajmi është bërë i ditur nga Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi në Facebook ku është bashkangjitur edhe vendimi i kësaj ministrie.

Sipas vendimit, afati për lëshimin e faturave të tatimit në pronë shtyhet deri më 31 mars 2026, ndërsa afati për pagesën e këstit të parë shtyhet deri më 30 qershor 2026

Ministria ka sqaruar se kjo shtyrje është bërë për shkak të zbatimit të Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronë në Paluajtshme, sipas të cilit regjistrat e tatimit në pronë bazohen në regjistrin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme të Agjencisë Kadastrale të Kosovës. “Gjatë procesit të përditësimit të këtyre regjistrave janë konstatuar ndryshime në kufijtë e zonave kadastrale, të cilat prekin dy apo më shumë komuna, duke shkaktuar vështirësi në reflektimin e saktë të të dhënave kadastrale në regjistrat e tatimit në pronë”, thuhet në vendim.

Sipas kësaj ministrie, shtyrja e afateve ka për qëllim shmangien e lëshimit të faturave me vlerësime tatimore të pasakta ose të shpërputhura me të dhënat kadastrale.

Po ashtu, ministria thekson se shtyrja e lëshimit të faturave ndërlidhet edhe me shtyrjen e zbatimit të shkallës progresive për tatimin në pronë, e paraparë me Ligjin Nr. 06/L-005, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-224.  Tutje thuhet se  zbatimi i kësaj shkalle është i lidhur ngushtë me parashikimet e Ligjit për Ndarjet Buxhetore.

/HisariOnline/