spot_img
HomeLajmePolicia me aksion në veri, bastisje në tri lokacione...

Policia me aksion në veri, bastisje në tri lokacione në Zubin Potok për lojëra të fatit

spot_img

Policia e Kosovës ka zhvilluar gjatë ditës së sotme një aksion në komunën e Zubin Potokut, i cili lidhet me dyshimet për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka dhënë detaje lidhur me këtë aksion, ku ka thënë se janë bastisur tri lokale të dyshuara për veprimtari të kundërligjshme.

Sipas Elshanit, njësia e hetimeve e Stacionit Policor Zubin Potok, më 15 janar 2026, ka pranuar informata nga rrugë operative se në disa lokale po zhvillohej organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

“Me datën 15.01.2026, njësia e hetimeve të stacionit policor Zubin Potok në DRP Mitrovicë Veri ka pranuar një informatë se në tri lokale në qytetin e Zubin Potokut janë duke u zhvilluar veprimtari të kundërligjshme, konkretisht organizimi i skenave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. Njësia e hetimeve e stacionit policor Zubin Potok, me asistimin e njësive relevante të DRP Mitrovicë Veri, ka bërë bastisjen në të tri lokalet”, ka theksuar Elshani.

Gjatë bastisjeve, policia ka hasur në pajisje të ndryshme teknologjike që shërbenin për lojëra të fatit.

“Në të tri lokacionet janë hasur pajisje teknologjike të cilat mundësonin zhvillimin e lojërave të fatit”, ka shtuar ai.

Sipas Elshanit, në lidhje me rastin janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar.

“Janë të dyshuar pesë persona, ku tre prej tyre janë hasur në vendngjarje dhe janë duke u intervistuar, ndërsa dy të tjerë nuk janë hasur aty, por janë të njohur për policinë”, ka bërë të ditur ai, duke shtuar se janë intervistuar edhe pesë dëshmitarë.

Elshani ka konfirmuar se është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka dhënë udhëzime për procedim të mëtejmë.

“Është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që të inicohen tri raste ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, të sanksionuara me nenin 294 të KPRK-së”, ka përfunduar Elshani.

/HisariOnline/

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img