spot_img
HomeLajmeKushtetuesja shpall jokushtetuese disa ligje të miratuara në vitin...

Kushtetuesja shpall jokushtetuese disa ligje të miratuara në vitin 2024

spot_img

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur jokushtetuese disa ligje të miratuara nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024, duke konstatuar shkelje serioze të Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit gjatë procesit ligjbërës.

Sipas aktgjykimit të 9 janarit 2026, Kuvendi ka miratuar këto ligje në lexim të parë dhe të dytë brenda së njëjtës ditë, pa shqyrtim të mjaftueshëm nga komisionet parlamentare dhe pa debat adekuat, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës, që rregullojnë ushtrimin e funksionit parlamentar, rregulloren e punës dhe rolin e komisioneve.

Gjykata vlerësoi se procedura e përshpejtuar është e lejueshme vetëm në raste urgjente, si siguria kombëtare apo gjendja e jashtëzakonshme, kushte që këto ligje nuk i kanë përmbushur. Si pasojë, janë cenuar parimet e ndarjes së pushteteve, sigurisë juridike, transparencës dhe parashikueshmërisë, të garantuara me nenet 4 dhe 7 të Kushtetutës.

Ligjet e shpallura jokushtetuese përfshijnë:

  • Ligji për Shërbimet e Pagesave
  • Ligji kundër dukurive negative në sport
  • Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit
  • Ligji për provimin e maturës shtetërore
  • Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm
  • Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim
  • Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
  • Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale
  • Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore
  • Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore
  • Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore
  • Ligji për Lojërat Mesdhetare.

Kërkesat në Gjykatë ishin parashtruar nga 12 deputetë të PDK-së, nga Abelard Tahiri, Xhavit Haliti, Isak Shabani, Blerta Deliu Kodra, Ferat Shala, Mërgim Lushtaku, Rashit Qalaj, Enver Hoxhaj, Floretë Zejnullahu, Ganimete Musliu, Elmi Reçica, Hajdar Beqa dhe Ardian Kastrati, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Këta deputetë argumentuan se thirrja e seancave të jashtëzakonshme dhe ndryshimi i rendit të ditës pa procedurë të rregullt kanë cenuar kompetencat kushtetuese të Kuvendit.

Gjykata në këtë rast u pajtua se këto veprime nuk ishin në përputhje me Rregulloren dhe standardet demokratike.

Në fund, Gjykata Kushtetuese urdhëroi që ligjet të mos dekretohen derisa të rregullohen shkeljet procedurale, duke theksuar se respektimi i Kushtetutës është thelbësor për funksionimin demokratik dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

/HisariOnline/ 

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img