Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar për një ndryshim të theksuar të kushteve meteorologjike në vend, duke paralajmëruar ulje të temperaturave, reshje bore dhe rrezik nga ngricat.
Sipas njoftimit, pas reshjeve të dendura të shiut gjatë tri ditëve të fundit, gjatë natës së sontme pritet një ndryshim gradual i kushteve meteorologjike në vend. Instituti bën të ditur se presioni atmosferik do të vazhdojë trendin e rënies, duke sinjalizuar afrimin dhe kalimin e një sistemi frontal aktiv mbi rajonin tonë.
Në njoftim thuhet se do të ketë edhe ndryshim të drejtimit të erës, ku era, e cila gjatë ditës ka fryrë nga drejtimi juglindor, gjatë orëve të natës do të ndryshojë kahun në drejtim të veriut dhe veriperëndimit, duke mundësuar depërtimin e masave ajrore të ftohta dhe rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjitha rajonet e Kosovës.
Instituti njofton se gjatë orëve të para të ditës së enjte (pas mesnatës), reshjet ekzistuese të shiut pritet të kalojnë gradualisht në reshje bore. Fillimisht, bora pritet në viset kodrinore dhe malore, ndërsa më pas edhe në viset e ulëta, duke krijuar shtresa bore edhe në zona fushore. Po ashtu, theksohet se temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë Celsius, çka do të krijojë kushte për formimin e ngricave në rrugë, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë.
“Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftim.
Instituti paralajmëron se vështirësitë më të mëdha në komunikacion priten në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ndërsa rekomandohet gatishmëri e shtuar nga autoritetet për mirëmbajtjen e rrugëve dhe përdorimi i pajisjeve dimërore nga pjesëmarrësit në trafik.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të ndjekin me vëmendje njoftimet dhe paralajmërimet zyrtare meteorologjike dhe të marrin masa parandaluese për sigurinë personale dhe mbrojtjen e pronës në ditët në vijim. 
/HisariOnline/







