Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll, fillon nesër. Xhiro e parë mbyllet me super derbin “Prishtina – Ballkani”, që zhvillohet të dielën me fillim në orën 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Se si është atmosfera në taborin e Xhebrailave në prag të kampionatit të ri, flet kapiteni legjendar, Edvin Kuç, duke dhënë 3 përgjigje në 3 pyetjet e Hisarionline.net
1. A është gati Ballkani për edicionin e ri të Superligës, si është skuadra para ndeshjes me Prishtinën?
“Ne kemi punuar gjithë këtë kohë për t’u rikuperuar si në aspektin fizik, ashtu edhe psiqik, pasi eliminimi me penallti nga Europa nuk ishte i lehtë. Megjithatë, tashmë gjithçka kemi lënë prapa dhe jemi fokusuar 100% te kampionati që nis tash. Përgaditja për sfidën e parë ndaj Prishtinës është gjëja kryesore për të cilën aktualisht po punojmë”
2. Ke fituar 3 tituj kampioni me Ballkanin, kupë e Superkupë, por nga momenti që u transferuat në Azerbajxhan te Neftchi, Xhebrailat nuk festuan më. A mendon se me rikthimin tënd, do të rikthehen edhe trofetë..?!
“Do të doja shumë të sjelli fat, por në futboll pos fatit, ka edhe shumë faktorë të tjerë që e ndërtojnë rrugën drejt titullit kampion apo fitimit të kupës. Ne do të bëjmë çdo gjë për t’u paraqitur në çdo ndeshje, dinjitetshëm. Jemi të koncentruar maksimalisht, po stërvitemi me etje dhe uri të madhe për sukses, andaj me përkushtimin tonë, të kryesisë, stafit teknik dhe tifozëve, por edhe me ndihmën e Zotit, shpresoj t’ia dalim”.
3. Si e pritën lojtarët dhe tifozët rikthimin tënd në Suharekë?
“Si gjithmonë, shumë mirë! – Suhareka është shtëpia ime e dytë dhe Ballkani po ashtu është familja ime e dytë. Këtu ndihem taman si në tokën time, luaj e luftoj në çdo ndeshje me krejt zemrën dhe potencialin tim. Do të isha shumë i lumtur që gjërat të na ecin mbarë dhe fundi i kampionatit të jetë i lumtur”.
Si kapiten i skuadrës, Kuç e ka udhëhequr Ballkanin në tri vjet radhazi kampion, triumfin në Kupën e Kosovës e dy herë në Superkupë. Njëkohësisht, duke shkruar histori evropiane, me dy kualifikime në finalet e UEFA Europa Conference League.








