Këngëtarja nga Malësia e Plavës dhe Gucisë, Leonora Rugova, ka ngritur shqetësimet e saj mbi identitetin shqiptar në Mal të Zi.
Ajo ka kujtuar kohët e komunizmit, kur me ngulm valvitej flamuri kombëtar, teksa tani në demokraci, dikush po tenton ta ndalojë atë.
“Nana ime më tregonte se në kohën e komunizmit, kur u martua me babain tim në Mal të Zi, krushqit kishin shkuar ta merrnin nusen me flamurin shqiptar, në atë kohë ishte goxha sfiduese se kush ka me e mbajt bajrakun sepse nuk kan dashur të pësojnë. Komunizmi na thuhet se ishte kohë pa liri. E megjithatë, atëherë flamuri shqiptar mund të çohej “hapur” dhe me krenari”, shkruan solistja në profilin e saj në facebook, transmeton Hisarionline.net.
“Nëse atëherë, në kohën e komunizmit, ishte e mundur të tregoje hapur identitetin shqiptar, pse sot duhet të mendohemi dy herë për flamurin që mbajmë, gjuhën që flasim dhe identitetin që kemi”, shtron pyetjen Rugova.
Sipas saj, demokracia nuk është një fjalë që përdoret vetëm për t’u mburrur. Demokracia është liria për të qenë ai që je, pa frikë, pa turp dhe pa iu nënshtruar askujt.
“Ne nuk po kërkojmë të drejtat e askujt. Po kërkojmë të drejtat tona. Nuk po e ofendojmë askënd. Por as nuk do të lejojmë që dikush të na tregojë se kush jemi. Ka ardhur koha të mos kërkojmë falje për identitetin tonë”, insiston malësorja e Plavës.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e saj të plotë ⬇️







