Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti refuzoi të propozoi emrin për kryeparlamentar duke kërkuar kohë për marrëveshje politike.
Ndërprerja e seancës konstituive zgjoi reagime të shumta në legjislativ e cila kulmoi me hudhjen e vezëve nga ana e deputetes së Aleancës, Time Kadrijaj në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Pas largimit të deputetëve nga salla në hollin e Kuvendit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se çdo konstituim i Kuvendit të Kosovës pa marrëveshje politike pashmangshëm do ta çonte vendin në zgjedhje të reja parlamentare.
“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshje politike që do garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për presidentin e Republikës pashmangshëm do na çonte te zgjedhjet e reja të përsëritura të paarsyeshme, të panevojshme dhe të dëmshme. Insistimi ynë i drejtë dhe i dobishëm është që të ulemi të bisedojmë të merremi vesh dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje si kryetar i LVV-së me liderët e partive të tjera parlamentare, të konstituojmë Kuvendin të formojmë Qeverinë dhe të zgjedhim presidentin apo presidenten e re”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, nuk ka kuptim të mos ketë marrëveshje.
“Në këto orët e fundit unë kam pasur takim dhe kam shkruar letra që ftojnë për takim, kam shkruar mesazhe telefonike për t’u takuar me liderë të partive politike dhe nuk besoj që përpjekjet t’i shpallim të dështuara, sepse kështu e kërkon kushtetutshmëria dhe kësisoj pret populli i Kosovës prej nesh”, tha ai.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se Kosova nga sot nuk mund të konsiderohet më demokraci dhe se në vend është cenuar rendi kushtetues.
“Kosova prej sot nuk është më demokraci. Në këtë vend nuk ka më Kushtetutë, as rend kushtetues, zotëri Kurti i ka shfuqizuar, i ka suspenduar të gjitha institucionet demokratike të këtij vendi”, ka deklaruar Hoxhaj.
Edhe deputeti tjetër nga kjo parti, Mërgim Lushtaku tha se LVV po tallet me besimin e marrë nga populli teksa kujtoi një fjalë të urtë popullore “njeriu mbjell atë që korr”.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, komentoi incidentin e fundit në Kuvend, ku deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, hodhi vezë ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Nuk kam asnjë problem me një aksion të një deputeteje, siç ishte rasti i zonjës Time Kadriaj, por do të shtoja se LVV-ja që nga themelimi i saj, qoftë jashtë Kuvendit, qoftë brenda Kuvendit, ka ndërmarrë veprime apo aksione kushtetuese për shkak të kauzave që i ka pasur në vazhdimësi”, ka deklaruar Haxhiu.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, ka hedhur pyetje se kjo tollovi e krijuar për mos ndërtimin e institucioneve, po i konvenon dikuj.
“Deputetët e mbikëqyrin dhe kontrollojnë punën e qeverisë. Kujt po i konvenon kjo situatë, që gjithë ato vendime të ministrive, të mos shikohen ligjërisht nga organi kryesor legjislativ, siç është Parlamenti”, deklaroi ajo.
Kujtojmë që deri tani nuk është paralajmëruar nëse vazhdimi i seancës konstituive do mbahet sot apo në ditët në vijim.
(Klan Kosova, Hisarionline).







