Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës institucionale në vend, duke e bërë përgjegjës kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për moskonstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve.
Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK shprehu kundërshtimin ndaj, siç e cilëson, mbajtjes së Kosovës “peng të llogarive partiake”, duke vlerësuar se vonesat në funksionalizimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë po dëmtojnë interesin shtetëror.
“Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj çdo përpjekjeje për ta mbajtur Kosovën peng të llogarive partiake të Albin Kurtit. Pas zgjedhjeve, Kuvendi ende nuk funksionon, ndërsa vendi mbetet pa qeveri me mandat të plotë. Kjo nuk është strategji. Është sulm ndaj rendit institucional dhe ndaj vetë sigurisë së shtetit”, thuhet në reagim, transmeton Hisarionline.net.
Sipas tyre, Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, duke theksuar se sfidat me të cilat përballen veteranët dhe qytetarët kërkojnë veprim të menjëhershëm.
“Kosova nuk është pronë e asnjë udhëheqësi. As e ndonjë partie”, theksohet tutje në revoltën e OVL-UÇK.
Në fund, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i bën thirrje Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të mundësojnë krijimin e institucioneve të reja.







