Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësimin për ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e tij.
Deklarata e kreut të VV-së, Albin Kurti, se po kërkon kohë shtesë për një marrëveshje politike për çështjen e presidentit, sipas IKD, nuk mund të jetë arsyetim.
Ndërprerja e seancës cenon Kushtetutën e Kosovës, thotë Instituti, transmeton Hisarionline.net.
“Sipas nenit 9, paragrafit 3, të Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Rrjedhimisht, kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera.
Zgjedhja e Presidentit është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme kushtetuese, por ajo përbën proces të veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit. Kuvendi duhet së pari të konstituohet sipas Kushtetutës, Rregullores dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Negociatat politike mund dhe duhet të zhvillohen jashtë seancës, pa e marrë peng institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës.”
IKD ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë detyrimin e deputetëve që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej tridhjetë ditësh.
Prandaj, ky institut ka kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, pa debate, pa improvizime procedurale dhe pa kushte politike.







