Kryetari i Aleancës, iu ka përgjigjur shpejt ftesës së homologut të tij nga Vetëvendosje.
Ardian Gjini i ka bërë me dije Albin Kurtit se nuk kanë asnjë interes për t’u bërë pjesë e Qeverisë.
Me anë të një letre, i pari i Gjakovës e ka riqartësuar qëndrimin e partisë që udhëheq, raporton Hisarionline.net.
“Ne kemi vendosur gjashtë pika që besojmë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndërkohë nuk e kemi marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to”, ka thënë Gjini, duke i rishkruar edhe njëherë ato.
Ndërkohë 6 pikat e Aleancës janë:
- Orientimi Strategjik dhe Gazi Amerikan – Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik dhe jetik shtetëror.
Pavarësia Energjetike – Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit.
Lehtësimi për Bizneset e Vogla – Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro.
Mbështetja për Bujqësinë – Lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë për nxitjen e prodhimit vendor.
Buxhetimi i Infrastrukturës – Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull.
Fondi Emergjent për Kryeqytetin – Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën.
Prandaj sipas shefit të këtij subjekti politik, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format.








