spot_img
HomeLajmeMbi 142 mijë aplikime nga diaspora për zgjedhjet e...

Mbi 142 mijë aplikime nga diaspora për zgjedhjet e 7 qershorit

spot_img

Procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është përmbyllur, pas një periudhe aplikimi që nisi më 6 maj.

Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë kësaj periudhe janë pranuar gjithsej 142,803 kërkesa për regjistrim përmes platformës elektronike. Deri tani, 109,696 aplikime janë aprovuar, 7,325 janë refuzuar, ndërsa 25,702 të tjera mbeten në shqyrtim.

Të dhënat tregojnë se forma më e preferuar e votimit nga mërgata vazhdon të jetë votimi përmes postës.

“Nga numri total i aplikimeve të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të pranuar pakon me fletëvotim në adresat e tyre postare jashtë Kosovës. Ndërkohë, 2,855 votues kanë zgjedhur që pakot me fletëvotim t’i dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, kurse 24,940 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike”, njofton për RTKlive zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, procesi i votimit jashtë vendit do të zhvillohet para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi përmes postës pritet të nisë më 25 maj dhe të zgjasë deri më 6 qershor, ndërsa votimi fizik në ambasada dhe konsullata do të mbahet më 6 qershor.

Për organizimin e votimit me postë, janë funksionalizuar kuti postare në 23 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën. Adresat e këtyre kutive pritet të publikohen gjatë javës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sa i përket votimit fizik në përfaqësitë diplomatike, KQZ-ja do të rishikojë listën përfundimtare të ambasadave dhe konsullatave ku do të organizohet procesi zgjedhor. Fillimisht ishte planifikuar që votimi të mbahej në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, përfshirë 33 ambasada dhe 15 konsullata.

Megjithatë, sipas Rregullores Zgjedhore për Regjistrimin dhe Votimin Jashtë Kosovës, në rastet kur numri i votuesve të regjistruar në një përfaqësi diplomatike është më i vogël se 50, votimi fizik nuk organizohet. Në këto raste, votuesit kalojnë automatikisht në kategorinë e votimit përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ-ja.

HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img