Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u është drejtuar me një videomesazh bashkatdhetarëve në diasporë, duke i ftuar ata që të regjistrohen për votim në kuadër të procesit të ri zgjedhor, teksa ka akuzuar ish-partitë opozitare për bllokadë.
Në mesazhin e tij, Kurti theksoi se vullneti i qytetarëve është shprehur qartë në zgjedhjet e fundit, duke e cilësuar atë si më të qartin në Kosovën e pasluftës.
“Të dashur mërgimtarë, populli i Kosovës brenda dhe jashtë vendit foli qartë me 28 dhjetor. Madje më qartë se asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, pas zgjedhjeve ka pasur bllokada të vazhdueshme për të pamundësuar krijimin e qeverisë.
“Ky zë i qartë i juaji erdhi pas 10 muajsh bllokada për të pamundësuar krijimin e qeverisë të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje. Fitorja e 9 shkurtit 2025 ishte bindëse. Të vetmen përgjigje ndaj votës qytetare, opozita e kishte bllokadën”, është shprehur tutje ai.
Kryeministri në detyrë ka shtuar se, pavarësisht përpjekjeve për të gjetur zgjidhje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja, nuk është arritur marrëveshje politike.
“Provuam gjithçka. Ishim të vetmit që propozonim zgjidhje me seri ofertash që vendi të mos shkonte në zgjedhje. Refuzim pas refuzimi. Nga e gjithë kjo kuptohet një gjë: këta në thelb nuk e respektojnë rezultatin zgjedhor. Realisht këta po thonë se qytetarët votojnë, por ne me matematikat tona do ta prishim vullnetin e tyre të shprehur. Dhe kështu e dërguan vendin sërish në zgjedhje me shpresën që të rrëzojnë qeverinë tonë të mirë e të drejtë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për procesin e ri zgjedhor, ai ka njoftuar se tashmë ka nisur periudha e regjistrimit të votuesve nga diaspora, e cila zgjat nga 6 deri më 17 maj. Ai e ka vlerësuar këtë proces tejet të rëndësishëm dhe ka ftuar që të gjithë ata që nuk mund të vijnë në Kosovë për të votuar fizikisht, ta bëjnë regjistrimin sa më parë.
“Të dashur bashkatdhetarë, ata që mendojnë se do ta lodhin popullin, do të lodhen vetë. E ne që jemi në rrugë të drejtë nuk do të ndalemi asnjëherë së punuari për të mirën e përbashkët dhe interesin publik. Ky proces zgjedhor është shumë i rëndësishëm. Ftoni familjarët, miqtë e dashamirët të bëhen pjesë e vendimmarrjes, fillimisht duke u regjistruar për votim, pastaj edhe për të votuar. Kujdes, ju që vini fizikisht në Kosovë nuk keni nevojë për regjistrim”, ka deklaruar tutje Kurti.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







