Me 68 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajqinovci, u bëri thirrje partive që ta mbështesin projektligjin.
“Projektligji prek jetën e qytetarëve tanë, prek të drejtën e tyre për t’u ndjerë pjesë e këtij shteti; lehtësimi i procedurave për shtetësi është një hap i domosdoshëm për të forcuar lidhjen e qytetarëve me Republikën e Kosovës, sidomos për bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. Prandaj ju ftoj që ta mbështesni këtë projektligj bashkë me amandamentin e propozuar nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, tha ai.
Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e kundërshtoi projektligjin, duke theksuar se është trajtuar me procedura të përshpejtuara.
“Sjellja e tij në Kuvend është bërë me procedura të përshpejtuara, pa respektuar afatet ligjore dhe pa përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme. Po ashtu, për shkak të agjendës së ngjeshur dhe mbivendosjes së komisioneve, kemi pasur vështirësi të shqyrtojmë seriozisht këtë projektligj. Edhe në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kam ngritur çështje kontestuese, por nuk kam marrë përgjigje të argumentuara nga përfaqësuesit e ministrisë”, u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu i bëri thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes që ta shqyrtojë me kujdes ligjin para nënshkrimit, duke shtuar se sipas saj ai mund të ndikojë në sigurinë e brendshme të vendit.
Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, deklaroi se partia e saj nuk do ta mbështesë projektligjin.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, tha se partia e saj është në parim dakord me nevojën për ligj të ri, por nuk e sheh të arsyeshme mbështetjen e tij në formën aktuale.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







