spot_img
HomeKryefaqjaLDK miraton marrëveshjen politike, mbështet Bekim Sejdiun për President

LDK miraton marrëveshjen politike, mbështet Bekim Sejdiun për President

spot_img

Pas shqyrtimit, Kryesia e LDK-së tha se ka miratuar me unanimitet të plotë marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i partisë, duke mbështetur njëkohësisht nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës.

“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i LDK-së, me procedurat vendimmarrëse të partisë dhe me përgjegjësinë që LDK-ja ka marrë për garantimin e stabilitetit institucional dhe funksionimin e rregullt të rendit kushtetues”, thuhet nga ky subjekt, transmeton Hisarionline.net.

“Për LDK-në, ky proces nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi. Ai lidhet, para së gjithash, me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional. Interesi i shtetit dhe detyrimi ndaj rendit kushtetues kanë qenë dhe mbeten orientimi themelor i veprimit tonë”.

Sipas LDK-së, zgjedhja e Presidentit të Republikës kërkon një personalitet me integritet të dëshmuar, përgatitje të lartë profesionale dhe përvojë institucionale, i cili e kupton peshën kushtetuese të kësaj detyre dhe është në gjendje ta përfaqësojë unitetin e popullit.

“Profesor Bekim Sejdiu i përmbush këto kritere. Si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve të Kosovës. Përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe në përfaqësimin diplomatik të vendit përbën garanci për ushtrimin e pavarur, të paanshëm dhe dinjitoz të detyrës së Presidentit”, thuhet në njoftim të kësaj partie.

Kryesia e kësaj partie i bëri thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, siç thuhet në njoftim “gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Enisi Sh.p.kspot_img
spot_img
spot_img
spot_img