Besfort Jaka, zyrtar i Komunës së Gjakovës, është arrestuar në Shqipëri nën dyshimin për trafikim të rreth 80 kilogramëve kanabis.
40 vjeçari është njëri prej tre shtetasve të Kosovës të arrestuar në kuadër të operacionit policor “Anchor”, të zhvilluar në Durrës.
Policia shqiptare njoftoi se në Portin e Durrësit janë sekuestruar 127 pako me kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC dhe me peshë totale rreth 80 kilogramë.
Vlera e drogës në treg, sipas autoriteteve, përllogaritet në rreth 1 milion euro.
Sipas raportimeve, Jaka është zyrtar i Komunës së Gjakovës, i cili punon në kuadër të zyrës për buxhet.
Emri i tij është i njohur në politikën lokale të Gjakovës.
Dokumentet zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se ai ka qenë kandidat i PDK-së për Kuvendin Komunal të Gjakovës në zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe 2013. Në vitin 2009 kishte marrë 60 vota, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2013 kishte marrë 220 vota.
Po ashtu, në vitin 2013, Jaka ishte prezantuar publikisht si përfaqësues i Forumit Rinor të PDK-së në Gjakovë.
Në vitin 2019, emri i tij figuron edhe në listën e kandidatëve për Këshillin Drejtues të PDK-së në Gjakovë, ku kishte marrë 69 vota.
Kujtojmë se përveç Jakës, në pranga kanë përfunduar edhe Taulant Duraku, 32 vjeç, dhe Luan Gashi, 26 vjeç, të tre shtetas të Kosovës.







