Nesër me fillim në orën 19:00, FC Ballkani e zhvillon ndeshjen e parë eliminatore ndaj Bohemians, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues në Conference League.
Ky ballafaqim ndodh në stadiumin “Dalymount Park” në Dublin, raporton Hisarionline.net.
Deri në këtë përballje, skuadrat erdhën pasi mposhtën kundërshtarët e tyre në rrethin fillestar.
Suharekasët e mundën Connah’s Quay të Uellsit, 3-2, pasi në udhëtim luajtën pa gola, njejtë sikurse irlandezët që 0-0 e mbyllën sfidën si mysafirë të St Josephs në Gjibraltar, pasi paraprakisht në terenin vendas, triumfuan 2-0.
Në këtë momentum ku sot gjenden “Xhebrailat”, në katër vitet e kaluara asnjëherë nuk janë eliminuar!
Në edicionin 2022/23 e mundën lehtë La Fioritan e San Marinos (0-4 dhe 6-0).
Pastaj, një vit më vonë, eliminuan Larnen e Irlandës Veriore, poashtu me rezultat të thellë (3-0 dhe 1-4).
Maltezët e Hamrun Spartans, ishin të radhës që e pësuan nga ‘Portokall e Zinjtë’ në këtë fazë (0-0 dhe 2-0).
Edhe patriotët e këtij kundërshtari, u gjunjëzuan nga 3 herë kampionët e Kosovës në rrethin e dytë kualifikues të UECL-së, verën e kaluar (4-2 dhe 1-1), njofton Hisarionline.net.
Ndryshe, Ballkani është skuadra e parë shqiptare që ka arritur të kualifikohet në finalet e këtij kompeticioni prestigjioz evropian, madje duke e bërë një gjë të tillë dy herë radhazi.
Në të dyja këto pjesmarrje, grumbulluan nga katër pikë, ku spikat fitorja madhështore 2-0 në Prishtinë, ndaj gjigantit kroat, Dinamo Zagreb.







