Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Arben Gega, ka reaguar me ironi ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili kishte thënë se Suhareka është e izoluar nga autostrada “Ibrahim Rugova”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gega tha se pretendimi i Kurtit është “qesharak”, duke theksuar se Suhareka ka dy qasje direkte në autostradë: një në Duhël dhe tjetrën në qytetin e Suharekës.
“Me thënë që Suhareka s’ka qasje në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ duhet me qenë veç si Albini. Qesharake deri sa s’ka më”, ka shkruar ai.
Gega ironizoi edhe me deklaratat e Kurtit, duke thënë se në Suharekë “moti është prodhuar verë e raki e mirë, por asnjëherë nuk e ka nxan dikën veç pse ka kalu ksajde”.
Ai gjithashtu ia atribuoi projektimin e qasjeve në autostradë ish-qeverive të udhëhequra nga Hashim Thaçi dhe PDK-ja, duke deklaruar se “është menduar shumë herët për këto gjëra”.
Në fund, Gega kritikoi Qeverinë aktuale edhe për projektet infrastrukturore të papërfunduara, duke përmendur autostradën Duhël-Banullë, autostradën e Gjilanit dhe magjistralet për Pejë e Gjakovë.
“Ju është mirë me kry autostradën e Gjilanit edhe magjistralën për Pejë e Gjakovë. Sjeni ju që kryni naj sen”, shkroi ai.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







