Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka quajtur të vonshëm reagimin e policisë dhe prokurorisë, pas sulmit fizik që ka ndodhur ndaj Hysni Mehanit, zëvendësministrit që u sulmua fizikisht nga Sami Lushtaku, kryetari në Skënderaj.
“Në lokalin në të cilën është rrahur dhe përgjakur zëvendësministri në Ministrinë e Financave, Hysni Mehani, njëkohësisht kryetari i qendrës së LVV në Skënderaj, njëkohësisht kandidat për deputetë, ka kamera dhe shumë dëshmitarë. Me ç’mora vesh 2 veta janë arrestuar, por për përshtypjen time reagimi i policisë e prokurorisë ka qenë i vonuar. Nuk e di çfarë ka ndodhur në orët e pasmesnatës, por e di që reagimi është dashur të jenë shumë më shpejtë”, tha ai, i pyetur për rastin në konferencën për media me Komisioren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Kurti ka thënë se pret vendimin e sistemit gjyqësor, duke thënë se aktivistët e LVV-së janë dënuar me nga një 1 vit e gjysmë burg për status në facebook.
“Ndërkaq të shohim se Prokuroria për ata që marrin gotë dhe përgjakin zëvendësministra çfarë dënimi do të kërkoj, dhe çfarë dënimi do të jap gjyqësori”, tha ai.
“Në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup që sfidon suksesshëm shtetin. E shteti është tërësia e ligjit. Ligji i drejtë i Republikës na bën bashkë si shoqëri sepse na barazon para tij, e jo si dikur që na ndante në të pambrojtur e të paprekshëm”, tha ai.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







