Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas lajmit për vdekjen e Alush Gashit, politikan i shquar i vendit.
Abdixhiku tha se Gashi ishte një mik i vërtetë, bashkëpunëtor i afërt i Rugovës e njeri i mençur i politikës sonë.
Lumir Abdixhiku theksoi se për të Gashi ishte mentor, këshilltar e prej njerëzve më të afërt.
Abdixhiku tha se shpreson që ta ketë bërë krenar sadopak.
Postim i plotë:
Më iku një mik i madh.
Një mik i vërtetë.
Alush Gashi, bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Rugova, njeri i urtë e i mençur i politikës sonë, sot na la.
Për mua ishte shumë më shumë se kaq. Ishte mentor. Ishte këshilltar. Ishte një prej njerëzve më të afërt që pata në këtë rrugëtim. Në këtë rrugëtim timin, rrallë kam takuar njerëz me aq maturi e aq mirësi. Në momentet më të vështira, tek ai gjeja gjithmonë qetësi. Një mendim të peshuar. Një fjalë që të kthjellonte. Një përkujdesje të heshtur, pa zhurmë, pa kërkuar asgjë.
E kam të vështirë ta besoj se nuk do të flasim më. Se nuk do ta kem më atë telefonatë, atë mendim të urtë, atë qetësi që dinte ta sillte edhe kur gjithçka bëhej zhurmë.
Nuk arritëm të përshëndetemi në këtë botë profë. Kjo më dhemb shumë. Më mbetet peng. Sepse gjithmonë kam menduar se do të kemi edhe një bisedë tjetër. Edhe një kafe. Edhe një këshillë të fundit.
Shpresoj të të kem bërë krenar, sadopak. Siç jam përpjekur gjithmonë të jem në lartësinë e besimit, këshillave e miqësisë sate.
Do të më mungosh shumë profë.
Ishe njeriu më i sinqertë në këtë rrugëtim kaq të vështirë.
Pusho në paqe!
Ilirijanës, Anilit e Arbanit, bëhuni të fortë. Mbi të gjitha, ndjehuni krenar! Askush si ai.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







