Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses transferimin e një të dënuari nga Shqipëria në Kosovë.
“Më 12 maj 2026, nga Shqipëria në Kosovë është transferuar shtetasi kosovar me inicialet R.F., i cili ishte dënuar në Shqipëri për veprën penale ‘trafikim i armëve dhe municionit në bashkëpunim’, sipas nenit 287/a të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Pas transferimit, i dënuari iu dorëzua Shërbimi Korrektues i Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit prej 3 vjet, 9 muaj e 28 ditë burgim, pasi një pjesë të dënimit e kishte kryer në shtetin shqiptar.
Transferimi u realizua përmes pikës kufitare në Vërmicë nën masa të rrepta sigurie.
Policia ka theksuar se ky operacion u mundësua falë bashkëpunimit ndërinstitucional mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







