Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësim për paraqitjen e rasteve të fruthit tek fëmijët në javët e fundit.
Sipas të dhënave të institucioneve shëndetësore, janë identifikuar 10 raste të fëmijëve të prekur nga fruthi, të gjithë të pavaksinuar. Po ashtu, është theksuar rënia e mbulueshmërisë së vaksinës MMR në grupmoshën 12–24 muaj.
KOMF u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit, duke theksuar se vaksinimi është obligim ligjor dhe mbrojtje e drejtpërdrejtë e shëndetit të fëmijëve.
Në reagim, KOMF ka theksuar se vaksinat janë të sigurta, të testuara shkencërisht dhe të miratuara nga institucionet relevante shëndetësore ndërkombëtare, si dhe ka apeluar që prindërit të mos bien pre e dezinformatave.
Po ashtu, KOMF u ka bërë thirrje institucioneve shëndetësore që të intensifikojnë identifikimin dhe vaksinimin e fëmijëve të pavaksinuar në komunitet, si dhe fushatat vetëdijesuese për rritjen e mbulueshmërisë së vaksinimit.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







