Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale që ka të bëjë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 21 të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit zyrtar, gjykimi në këtë rast pritet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm për organet e drejtësisë deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.
“Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policia e Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në komunikatë.
Sipas aktakuzës PPS.nr.59/2022 të datës 15 gusht 2025, të pandehurit akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së, e cila tash inkriminohet sipas neneve 144, 145, 146 dhe 147 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Seanca fillestare është caktuar të mbahet më 1 korrik 2026, në ora 09:00, në Pallati i Drejtësisë në Hajvali dhe do të udhëhiqet nga gjyqtarja Medie Bytyqi.
Gjykata ka bërë të ditur se aktakuza dhe ftesat për seancë janë publikuar në faqen zyrtare të gjykatës dhe në Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, ndërsa ka paralajmëruar se do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







