Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj shtyrjes së radhës për shpalljen e aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykata Speciale në Hagë.
Në një deklaratë për media, PDK e cilësoi këtë vonesë si të pajustifikueshme dhe dëshmi të një procesi të stërzgjatur, i cili sipas tyre ka humbur kuptimin e drejtësisë dhe është ndikuar nga kalkulime politike.
“Shtyrja e fundit është një goditje tjetër ndaj besimit tonë në drejtësi dhe një padrejtësi e shtuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët prej rreth pesë vitesh e gjysmë po mbahen në paraburgim, duke ua shndërruar këtë masë në një dënim të heshtur të imponuar përmes vonesave të përsëritura”, thuhet në njoftim.
PDK i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë dhe të mos lejojnë që ky proces të shndërrohet në një shembull të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.
Në fund, kjo parti ka ritheksuar se mbetet e palëkundur në bindjen për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon një vendim përfundimtar, pa vonesa të mëtejshme, i cili do të mundësojë rikthimin e tyre në Kosovë.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







