Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se do të nisë rindërtimi i Xhamisë së Ibrit, një monument me rëndësi historike dhe kulturore, i ndërtuar në vitin 1777 dhe i djegur gjatë luftës më 2 maj 1999.
”Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj. Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”, ka thënë ai.
Kurti ka bërë të itur gjithashtu se është nënshkruar edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame në vend.
Kryeministri bëri të ditur se këto iniciativa janë pjesë e angazhimit institucional për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, veçanërisht pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Ai shtoi se investimet në këtë fushë do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhshme.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







