Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar figurën e akademikut Rexhep Qosja, duke theksuar rolin e intelektualit në ndërtimin e lirisë dhe shtetit, duke e cilësuar Qosjen si një figurë që e ka tejkaluar kohën dhe vazhdon të mbetet e pranishme në ndërgjegjen kombëtare.
“Se liria dhe pavarësia dhe shteti që gëzojmë sot i ka rrënjët thellë në sakrificë, në punë, e në veçanti në intelektualë të fuqishëm të kombit tonë të cilët nuk u dorëzuan dhe punuan në kohët më të vështira të Jugosllavisë e Serbisë. Ndaj vërtetë na e tregon shkrimtari që nuk do të vdesë kurrë, akademiku Rexhep Qosja. Pse e them këtë dhe pse jemi te ky konkluzion që jemi në këtë mbledhje këtu? Ka njerëz që jetojnë brenda kohës së tyre, por të tretun me kohën. Por ka edhe të tillë që e kanë kapërcyer kohën, që nuk mbeten vetëm kujtim, por bëhen vetëdije, një prani e gjallë në ndërgjegjen e një kombi, në këtë rast kombit tonë shqiptar. Në këtë kuptim qëndron akademik Rexhep Qosja jo thjesht si një emër, por si një mendim që vazhdon dhe do të vazhdojë të jetojë përtej vetes. Intelektuali dhe shkrimtari i vërtetë nuk është ai vetëm që e përshkruan kohën, por ai që e ka guximin intelektual me folë dhe me e sfiduar kohën. Fjala e tij asnjëherë nuk ka qenë vetëm tekst, por gjithmonë ka qenë një akt. Nuk ishte vetëm një reflektim i një rrethane, mirëpo ishte një qëndrim; qëndrim prej intelektuali, mirëpo edhe qëndrim politik. Ajo nuk kërkon pëlqimin, por gjithmonë zgjimin. Dhe në këtë zgjim, lexuesi dhe dëgjuesi nuk mbetej kurrë i njëjtë. Ata përballen me të vërtetën, me historinë që e përshkruante akademik Qosja, mirëpo po ashtu me përgjegjësinë ndaj tij”, tha ai.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







