Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të hënën një seancë të veçantë përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja, ku u theksua kontributi i tij i jashtëzakonshëm në kulturën dhe mendimin shqiptar.
Në këtë seancë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vlerësoi lart figurën e Qosjes, duke theksuar ndikimin e tij në ndërtimin e vetëdijes historike dhe intelektuale të shqiptarëve.
“Qosja ishte njëri nga njerëzit që e shndërroi kulturën shqiptare në hapësirë mendimi, polemike dhe vetëdije e përgjegjësie historike”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se Qosja jetoi dhe krijoi në një kohë sfiduese për shqiptarët, kur kërkohej vazhdimisht dëshmimi i identitetit kombëtar.
“Kësaj kohe ai u përgjigj me vepra, me studime, polemika, qëndrime publike dhe me një disiplinë intelektuale që rrallë shihet në jetën tonë publike”, u shpreh ajo.
Haxhiu shtoi se mendimi i Qosjes u ndërtua mbi vlerat e Rilindjes Kombëtare dhe humanizmit, ndërsa si shkrimtar ai dëshmoi rolin e letërsisë si ndërgjegje shoqërore.
“Si shkrimtar ai dëshmoi se letërsia mund të jetë njëkohësisht art dhe ndërgjegje”, deklaroi ajo.
Në fund, ajo nënvizoi se akademik Qosja e lidhi studimin e letërsisë me sfidën e ruajtjes së vetëdijes së një populli.
“Si mbahet gjallë vetëdija e një populli të ndarë, të shtypur dhe të detyruar të mbrojë edhe gjuhën, edhe historinë, edhe të drejtën e vet politike”, citoi Haxhiu si një nga pyetjet thelbësore që trajtoi Qosja në veprën e tij.
HisariOnline – Më afër lajmit, vetëm e vërteta!







